Marrëveshje ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Rrjetit Akademik Shqiptar

None

08 Maj 2026

Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë nënshkruar, më 7 maj 2026, një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e infrastrukturës digjitale dhe mbështetjen e publikimeve akademike në Shqipëri.

Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Bordit të RASH-it, dr. Arjan Xhelaj, dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të realizohet krijimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe administrimi teknik i portalit të revistave shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me synim garantimin e një platforme moderne, të qëndrueshme dhe funksionale për publikimet akademike.

RASH, si institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe administrimin e infrastrukturës teknologjike dhe rrjeteve akademike në vend, do të kontribuojë gjithashtu në mirëmbajtjen e infrastrukturës digjitale në shërbim të arsimit dhe shkencës, duke siguruar ndërlidhjen e rrjetit akademik shqiptar me rrjetin evropian GÉANT.

Ky partneritet me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, institucionin më të lartë shkencor në vend, përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve akademike, konsolidimit të infrastrukturës së publikimeve shkencore dhe rritjes së cilësisë së kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë.